Opinion/ Pse të gjithë përfitojmë nga një shoqëri me barazi gjinore, përfshirë dhe burrat!

Dita Ndërkombëtare e Gruas, më 8 Mars, shërben si një raport vjetor i përparimit për të drejtat e grave, duke pyetur se sa kemi arritur. Gjetjet e indeksit gjinor të Forumit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, botuar të enjten, japin një përgjigje të zymtë: 90% e popullsisë në 75 vende është diskriminuese ndaj grave. Ndërkohë, aktivistët për të drejtat e burrave, që jetojnë në një univers paralel që ata konsiderojnë “gjini-egocentrikë”, besojnë se “përpjekjet për të rritur të drejtat e grave janë bërë përpjekje toksike për të minuar të drejtat e burrave”.
Ky lloj narracioni ka rreth më shumë se 30 vjet që ekziston. Nisi me disa baballarë të mërzitur mbi të drejtën e kujdestarisë ndaj fëmijëve, por mori formë të re kur në të u përfshinë dhe disa burra misogjinistë, supermacistë.
Ata i shohin të drejtat njerëzore si ekuacione matematike; nëse femrat kanë më shumë, atëherë burrat do të kenë më pak. Ata kujtojnë se feminizmi është një skemë e femrave për t’i shpallur luftë ‘burrërores’.
Ajo që e bën këtë edhe më shqetësuese është se vërtet ka shumë gjëra gabim në jetën e burrave, nivelet e larta të vetëvrasjeve e dëshmojnë këtë. Megjithatë, shkaku i vetëvrasjes nuk janë të drejtat e grave por vetë mënyra se si ‘burrëria’ është konstituuar në kulturat patriarkale të orientuara nga fitimi: ”I fundit është bastard! Burri del i pari!”
Siç e thonë feministët për një kohë të gjatë, patriarkia dëmton jo vetëm gratë por edhe burrat. Ideja që të drejtat e grave fitohen në kurriz të burrave është e gabuar; e kundërta është e vërtetë: tani ka një grumbull provash që tregojnë se burrat përfitojnë nga të jetuarit në shoqëri më të barabarta gjinore dhe se politikat që promovojnë barazinë gjinore përmirësojnë cilësinë e jetës së të gjithëve , jo vetëm për gratë. Një raport i fundit i OBSH-së, i cili krahasonte 41 vende evropiane, zbuloi se shëndeti i burrave ishte më i dobët në shoqëri më të pabarabarta gjinore, ndarja seksuale e punës dëmton burrat, si dhe gratë. Kur njerëzit janë më të barabartë, burrat thonë se ata janë më të kënaqur me jetën. Në shoqëri me barazi gjinore siç janë vendet nordike, me sa duket të dy, burrat dhe gratë flenë më mirë. Kjo e fundit, një konstatim nga një studim evropian, sugjeron se burrat në shoqëri më të barabarta kujdesen më mirë për veten e tyre.
Në shoqëri të barabarta gjinore, burrat kanë gjysmën e gjasave për t’u prekur prej depresionit, më pak të ngjarë të kryejnë vetëvrasje, kanë rreth 40% më pak rrezik të përjetojnë një vdekje të dhunshme dhe madje vuajnë më pak nga dhimbjet kronike të shpinës. Djemtë adoleshentë në ato vende kanë më pak ankesa psikosomatike dhe ka më shumë të ngjarë të përdorin kontraceptivë. Dhe seksi? Përkundër stereotipeve, një studim zbuloi se burrat me partnerë feministe raportojnë kënaqësi më të madhe seksuale, ashtu dhe gratë me partnerë që mbështetnin feminizmin.
Mbase më shumë burra duhet të bashkohen në fushatat për barazi gjinore, jo vetëm për të sinjalizuar se ata janë ‘djemtë e mirë’ ose sepse është moralisht e drejtë, por edhe për shkak të interesit vetjak!
Dosti Banushi – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.