Pagat minimale në BE – Kryeson Luksemburgu me 1.999 euro, Bullgaria e fundit me 235

Deri më tani, 22 nga 28 vende anëtare të Bashkimit Europian kanë një pagë minimale kombëtare, duke përjashtuar kështu Danimarkën, Italinë, Qipron, Austrinë, Finlandën dhe Suedinë.
Sipas të dhënave të Eurostat, Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Bashkimin Europian, në 1,999 euro. Paga minimale më e ulët në bllok rezulton në Bullgari, me 235 euro.
Eurostat bën një ndarje të Bashkimit Europian në 3 grupe kryesore bazuar në nivelin e pagave. Në Janar 2017, 10 vende anëtare në lindje të bllokut, kishin një pagë minimale prej 500 euro në muaj.
Pas Bullgarisë që ka pagën minimale kombëtare më të ulët, vjen Rumania me 275 euro. Në këtë kategori ndodhen edhe Republika Çeke, Kroacia dhe Polonia me një pagë minimale prej 407, 433 dhe 453 euro në mënyrë respektive.
Në jug të rajonit renditen 5 vende anëtare me një pagë minimale nga 500 deri në 1000 euro në muaj. Këtu përfshihet; Portugalia, Greqia, Malta, Sllovenia dhe Spanja.
Në 7 vendet anëtare të mbetura në veri dhe perëndim të Bashkimit Europian, pagat minimale janë sipër 1000 euro. Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë me 1999 euro, ndjekur nga Irlanda dhe Hollanda me 1563 dhe 1552 secila.
Të gjithë vendet e kategorisë së tretë kanë një nivel më të lartë të pagës minimale se në Shtetet e Bashkuara. Krahasuar me vitin 2008, ndër vendet anëtare të BE, paga minimale ka rënë vetëm në Greqi me 14%. Bullgaria ka patur rritjen më të madhe krahasuar me këtë periudhë, apo me 109%.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.