Pengesa për OPEC – Vështirësohet ulja e prodhimit. Irani kërkon përjashtim
Irani u kthye në pengesën kryesore të OPEC për të arritur marrëveshjen e uljes së prodhimit, ndërkohë që lideri i grupit Arabia Saudite, nuk ka rënë ende dakord për përjashtime të Teheranit, që është goditur nga sanksionet amerikane.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës rifilloi bisedimet në Vjenë ditën e Premte, pasi nuk vendosi 1 ditë më parë për parametrat e uljes së prodhimit, ndërkohë priste angazhimin e Rusisë.
Sipas burimeve të OPEC, Irani, që u vendos nën presionin e sanksioneve në muajin Nëntor, po frenon gjithashtu marrëveshjen përfundimtare. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar Arabisë Saudite që të ndihmojë ekonominë globale duke mos ulur prodhimin dhe rritur çmimet.
Një tjetër pengesë ndaj vendimit të OPEC është vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në muajin Tetor. Trump ka mbështetur princin trashëgimtar, Mohammed bin Salman, pavarësisht thirrjeve nga shumë politikanë në Shtetet e Bashkuara, që të vendosë sanksione të ashpra ndaj Riadit.
Çmimet e naftës kanë rënë me thuajse 30% gjatë Tetorit, poshtë 60 dollarëve për fuçi, ndërkohë që Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Rusia, kanë rritur prodhimin për të kompensuar rënien e eksporteve nga Irani, që është prodhuesi i tretë më i madh.
Rënia e çmimeve bëri që OPEC dhe vendet aleat të diskutonin uljen e ofertës dhe ditën e Enjte, Arabia Saudite bëri të ditur se reduktimet e mundshme nga vendet e përfshira variojnë nga 0.5-1.5 milionë fuçi në ditë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.