Perspektiva e borxhit në Kinë – Pritet të përkeqësohet, por bie huamarrja te sektori informal
Problemi i Kinës me nivelin e borxhit pritet të përkeqësohet këtë vit, sipas bankës së investimeve në SHBA, Morgan Stanley, që shton se Pekini pavarësisht, mund të menaxhojë më mirë rreziqet e huamarrjes nëpërmjet kanaleve jo zyrtarë.
Borxhi kinez në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, pritet të rritet me 3-4%, sipas bankës amerikane. Por institucioni shton se këtë herë do të jetë ndryshe, pasi vendi po përdor një levë financiare më të manaxhueshme dhe më transparente, duke mos rihapur të ashtuquajturin “bankingu hije”.
Bankingu hije i referohet aktiviteteve të firmave financiare jashtë sektorit formal bankar, që nuk janë subjekt i mbikëqyrjes rregullatore. Bankat shtetërore zakonisht preferojnë huadhënien ndaj kompanive të zotëruara nga Shteti, që konsiderohen si huamarrës më të sigurt se firmat private.
Për rrjedhojë, firmat private i janë drejtuar bankingut hije, duke kontribuar në totalin e borxhit kinez. Sipas Morgan Stanley, pavarësisht rritjes së përkohshme të borxhit/PBB, këtë herë do të jetë më e manaxhueshme se 5 vite më parë, ku bankingu hije ndodhej në rritje të frikshme.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë po përpiqet të ulë varësinë nga borxhi dhe të shtojë rregulloret për të ndaluar huamarrjen, apo përdorimin e levës financiare (investim me borxh). Megjithatë, lufta tregtare po cenon përpjekjet për të trajtuar nivelin e borxhit, ndërkohë që Kina po kërkon një mjet për të nxitur ekonominë që është goditur nga tarifat.
Bankat kineze kanë ofruar kredi të reja në një nivel rekord prej 530 miliardë dollarë në Janar, çka reflektoi presionet e autoriteteve për të shtuar huadhënien drejt sektorit privat. Por, analistët presin që rritja vjetore e kreditit për pjesën tjetër të 2019-ës të ngadalësohet.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.