Përveç makinave, Elon Musk “rinovon” dhe renditjen e miliarderëve – Tejkalon Bill Gates si njeriu i dytë më i pasur në botë

Elon Musk ka kaluar Bill Gates si personin e dytë më të pasur në botë, vetëm një javë pasi bashkëthemeluesi i Tesla tejkaloi Mark Zuckerberg të Facebook për t’u bërë i treti më i pasur.
Nxitur nga një rritje e mëtejshme e çmimit të aksioneve të Tesla-s, pasuria neto e sipërmarrësit 49-vjeçar u rrit me 7.2 miliardë dollarë në 127.9 miliardë dollarë. Ai është rritur me më shumë se 100 miliardë dollarë këtë vit – duke tejkaluar të gjithë të tjerët në Indeksin e Miliarderëve Bloomberg, i cili rendit 500 njerëzit më të pasur të botës. Në janar, Musk ishte në vendin e 35-të.
Shefi ekzekutiv i ndërmarrjes së makinave elektrike tani renditet menjëherë pas shefit të Amazon, Jeff Bezos.
Aksionet e Tesla janë rritur që kur kompania u zgjodh të bashkohej me indeksin S&P 500 të kompanive kryesore amerikane një javë më parë, duke çuar vlerën e saj të tregut afër 500 miliardë dollarë. Tre të katërtat e vlerës neto të Musk vijnë nga aksionet e Tesla.
D.B – SCAN
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.