Prodhimi botëror i verës, më i ulëti në 60 vitet e fundit – Moti në Europë arsyeja kryesore
Kushtet e pafavorshme të motit në Europë kanë bërë që prodhimi botëror i verës të bjerë në nivelin më të ulët që prej 60 viteve të fundit.
Organizata botërore e verës tha se prodhimi vitin e kaluar ishte 250 milione hektolitra, një rënie me 8.6% nga viti 2016. Një prodhim kaq i ulët nuk arrihej që nga viti 1957.
Një hektolitër përbëhet nga 100 litra, ose ekuivalenti i rreth 133 shisheve standarde të verës 75 centilitërshe.
Të gjithë prodhuesit kryesorë të verës në Europë u goditën nga ngricat në pranverë dhe thatësira në verë, çka bëri që prodhimi në BE të bjerë me 14.6%, në vetëm 141 milionë hektolitra. Prodhimi i verërave italiane ra me 17% në 42.5 milionë hektolitra, prodhimi i Francës ra me 19% në 36.7 milionë hektolitra, kurse në Spanjë prodhimi ra me 20% në 32.1 milionë hektolitra.
Ndërkohë, prodhimi mbeti stabël në Shtetet e bashkuara, i cili është prodhuesi i katërt më i madh në botë dhe në Kinë, prodhuesi i shtatë më i madh në botë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.