Programi bërthamor i Koresë së Veriut, SHBA: Po bashkëpunojmë me Kinën për rrezikun

Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë në një sërë alternativash mbi çështjen e Koresë së Veriut. Ishte kjo deklarata e këshilltarit kryesor amerikan për mbrojtjen në përgjigje të tensioneve të krijuara nga testimi i raketave koreanoveriore.
Gjenerallejtënanti HR McMaster tha se kishte një konsensus mes dy shteteve se kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të zgjedhin të kundërpërgjigjen në mënyrën që është në interesin më të mirë të qytetarëve amerikanë.
“Presidenti e ka bërë të qartë e ai nuk do të pranojë që SHBA dhe partnerët e aletatët e saj të ndodhen nën rrezikun e këtij regjimi armiqësor raketash dhe armësh bërthamore”, tha ai.
Këto deklarata janë në harmoni me ato të presidentit Trump i cili deklaroi më parë se Kina po punon me SHBA mbi çështjen.
Megjithatë priten ende komente nga Pekini zyrtar, i cili është aleati më i madh i Koresë së Veriut. Deri më tani nuk ka patur asnjë deklaratë zyrtare mbi bashkëpunimin me Uashingtonin për rrezikun që paraqet Koreja e Veriut.
Reagimi i McMaster vjen pas paradës ushtarake të Koresë së Veriu dhe testimit të dështuar të raketës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.