Projekti i 732 “kështjellave” në Turqi/ Gjykata urdhëron falimentin e grupit ndërtues
Qindra “kështjella” që duhej të ndërtoheshin për klientë të pasur në provincën Bolu të Turqisë, tashmë janë në një fazë ngërçi për shkak të një vendimi gjykate që e ka detyruar grupin ndërtues që të shpallë falimentin.
Kompania ndërtuese “Sarot Group” është detyruar nga gjykata që të shpallë falimentin për shkak të borxhit 27 milionë dollarësh të krijuar nga kompleksi “Burj Al Babas”, shkruan “Bloomberg” duke cituar gazetën turke “Hurriyet”. Projekti në malet piktoreske të kësaj zone parashikonte 732 vila në formë kështjellash, pishina, banjo turke, qendra shëndeti e bukurie, një qendër tregtare dhe një xhami.
Klientë nga Qatari, Bahraini, Kuwaiti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kishin prenotuar vilat që variojnë nga 370-530 mijë dollarë por problemet e hasura me arkëtimin e parave nga porositësi krijoi borxh për grupin ndërtues.
Përfaqësues të kompanisë janë shprehur se pavarësisht porosive, nuk kanë arritur që të arkëtojnë 7.5 milionë dollarë për vilat e shitura në vendet e Gjirit. Në këto kushte, kompania ndërtuese kishte kërkuar mbrojtjen nga falimentimi por gjykata vendosi që ajo të shpallte falimentimin; vendim që në fakt do të apelohet nga kompania ndërtuese.
Grupi ndërtues kishte përfunduar ndërtimin e 587 vilave para se të paraqiste kërkesën për mbrojtjen e falimentimit megjithatë gjykata e urdhëroi që të ndërpresë ndërtimet menjëherë.
Projekti vlerësohet me kosto 220 milion dollarë. “Na duhet vetëm të shesim 100 vila për të paguar borxhet tona. Besoj se mund ta kalojmë këtë krizë brenda 4 apo 5 muajve dhe të inaugurojmë pjesërisht projektin në vitin 2019” u shpreh shefi i “Sarot Group” Mehmet Emin Yerdelen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.