Qeveria Kurti heq taksën ndaj Serbisë, por me kushte. Paralajmërohet parimi i reciprocitetit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për mediat, ka komunikuar heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Mirëpo, ky vendim prek vetëm tregtimin e lëndës së parë.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se ky vendim do të zbatohet nga 15 marsi, duke shtuar se nëse Serbia dëshmon se do të ndalë fushatën për mosnjohjen Kosovës, qeveria kosovare do ta largojë tarifën 100% plotësisht më 1 prill 2020.
“Pas takimeve me prodhuesit vendorë, kam ardhur tek ky qëndrim sa i përket tarifës 100%. Si Qeveri e Kosovës, nga java e ardhshme kemi vendosur që më 15 mars të hiqet taksa ndaj lëndës së parë. Nëse pala serbe dëshmon në ndalimin e fushatës dhe barrierave, atëherë duke filluar nga data 1 prill qeveria do ta heq tërësisht tarifën për import për një periudhë prej 90 ditësh”, ka thënë Kurti. Kurti ka shtuar gjithashtu se nëse Serbia nuk reflekton në sjelljen e saj ndaj Kosovës për 90 ditë, pas 15 qershorit, jo vetëm që taksa do të rivendoset , por do të fillojë zbatimi i reciprociteti ekonomik e politik.
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.