Raporti i OKB mbi pandeminë: “Ekonomia botërore do tkurret me 4.3% në 2020. Rritje e varfërisë me 8.8%”
Ekonomia botërore përballet me një tkurrje prej 4.3% në vitin 2020, për shkak të ndikimit negative të Covid-19, sipas një raporti të publikuar nga Konferenca mbi Tregtinë dhe Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara. Raporti, i titulluar “Ndikimi i pandemisë së Covid-19 tek tregtia dhe zhvillimi”, thekson se nëse kriza e koronavirusit vazhdon vitin e ardhshëm, 130 milionë njerëz shtesë do të jetojnë në varfëri ekstreme. Raporti thekson se ndikimi i Covid-19 është i pabarabartë.
Familjet me të ardhura të ulëta, emigrantët, punëtorët në të zezë dhe gratë janë më të ndikuara. Ndërkohë, industritë e turizmit dhe sipërmarrjet të vogla e të mesme, kanë pësuar gjithashtu një goditje joproporcionale. Raporti thekson gjithashtu se vendet e varfra kanë mungesë të burimeve të nevojshme që t’i bëjnë ballë pandemisë, ç’ka rrit cënueshmërinë nga kriza. Norma e varfërisë botërore pritet të rritet me 8.8%, që është rritja më e madhe që prej krizës financiare aziatike të vitit 1997.
Vendet e pasura kanë reaguar me paketa gjigante të shpëtimit dhe stimujve, ndërkohë që për vendet e varfëra këto mundësi janë të kufizuara dhe rrisin malin e borxhit. Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të arritur një rimëkëmbje më të balancuar nga pandemia.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.