Reagojnë bursat franceze – Bien pas sulmit në Paris, përmbysin performancën e fortë javore
Disa ditë përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, euro dhe aksionet e bankave franceze kanë performuar mirë. Gara deri më tani, ku sondazhet tregojnë për një përballje mes Le Pen dhe Macron ka sjellë luhatje në valutë dhe tregjet e borxhit në Francë.
Analistët thonë se rritja e valutës së përbashkët europiane dhe aksioneve franceze vjen edhe prej mbylljes së pozicioneve nga investitorët, përpara votimit të ditës së dielë. Euro arriti 1.0778 kundër dollarit amerikan, duke shënuar performancën më të mirë javore për vitin. Bankat franceze kanë performuar më mirë se huadhënësit e tjerë në rajon. BNP Paribas është rritur gjatë javës me 4.2%, ndjekur nga Societe Generale me 3.8% dhe Credit Agricole më 2.7%.
Rritja e sektori bankar ka nxitur gjithashtu indeksin CAC 40 të Francës përgjatë javës. Megjithatë, në ditën e fundit të tregtisë, indeksi i titujve të kapitalit i përbërë nga 40 kompani, e përmbysi performancën.
Indeksi u hap në rënie ditën e Premte, pas sulmit në qendër të Parisit që la një polic të vrarë dhe dy persona të tjerë të plagosur. Sulmi, dy ditë përpara zgjedhjeve, mund të nxisë mbështetjen për kandidaten anti-emigrim, Marine Le Pen.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.