Rezervat në valutë të Kinës – Rriten në $ 3.03 trilionë, ndikojnë kontrollet e kapitalit dhe rënia e dollarit

Rezervat në valutë të Kinës janë rritur në Prill për të tretin muaj radhazi, duke thyer pritshmëritë e tregjeve, ndërkohë që kontrollet e kapitalit dhe frenimi i dollarit amerikan, kanë ndihmuar në reduktimin e daljes së kapitalit jashtë vendit.
Rezervat u rritën me 21 miliardë dollarë në Prill duke prekur 3.03 trilionë, krahasuar me rritjen prej 3.96 miliardë që ishte një muaj më parë. Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor (SAFE) deklaroi se rezervat janë rritur për shkak të ekuilibrimit të ofertës dhe kërkesës në tregun e këmbimit valutor dhe vlerësimit të valutave të tjera kundër dollarit.
Agjencia shtoi se juani do të mbetet i qëndrueshëm dhe flukset dalëse të kapitalit do të balancohen, gjë që do të stabilizojë më tej rezervat në valutë. Kina ka ashpërsuar rregullat mbi lëvizjen e kapitalit jashtë vendit në muajt e fundit, ndërkohë që përpiqet të mbështesë juanin dhe frenojë rënien e rezervave në valutë. Vitin e kaluar, rezervat ranë me 320 miliardë dollarë dhe juani ra përsëri me 6.5% kundër valutës së gjelbërt, që përbën rënien më të madhe vjetore që prej 1994.
Performanca e valutës kineze kundër dollarit ka qenë e qëndrueshme në javët e fundit. Kryeministri Li Keqiang tha gjatë muajit të kaluar se besimi i tregjeve drejt juanit është rritur bindshëm. Sipas një sondazhi të analistëve, valuta kineze pritet të arrijë 7.07 kundër dollarit amerikan këtë vit.
Rezervat në ar të Kinës u rritën në 75.02 miliardë dollarë në fund të muajit Prill, nga 73.7 mld që ishin në fund të marsit, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.