Rezultatet e ndeshjeve të futbollit janë gjithnjë e më të parashikueshme. Arsyeja?!
Vitet e fundit, loja e futbollit ka ndryshuar shumë: Rezultatet e ndeshjeve janë më të parashikueshme dhe vendi ku luhen vlen gjithnjë e më pak.
Një analizë e kryer në afro 88,000 ndeshje futbolli, të luajtura midis njëmbëdhjetë skuadrave në liga të ndryshme europiane nga viti 1993 deri në vitin 2019, zbuloi një rritje të parashikueshmërisë së rezultateve dhe pabarazisë midis skuadrave të ndryshme, si dhe një ulje të avantazhit për atë që luan në shtëpi.
Një model kompjuterik u përpoq të parashikonte ekipin fitues të ndeshjeve të ndryshme bazuar në të dhënat e ndeshjeve të mëparshme dhe e arriti atë mesatarisht 75 herë nga 100. Analiza, përveçse tregoi një rritje të parashikueshmërisë së rezultateve ndër vite, zbuloi gjithashtu një korrelacion midis parashikueshmërisë dhe pabarazisë: me kalimin e kohës, skuadrat më të pasura (ato që mund të përballojnë lojtarë më të shtrenjtë) janë bërë më të parashikueshëm sesa ato më pak të financuara.
Të dhënat nxirrnin në pah edhe një ulje të ndikimit të të ashtuquajturit “faktori shtëpiak”, që është avantazhi që do të merrte skuadra vendase nga mbështetja e tifozëve dhe nga rrethanat e mosmarrëveshjes me udhëtime, zhvendosjet, etj.: ltalia, për shembull, nga rreth 66% e pikëve të marra në shtëpi në vitin 1993, ra në 58% në 2019.
“Rritja e lojtarëve të huaj, fakti që është më e lehtë të udhëtosh dhe të ndjekësh ekipin tënd të preferuar – janë vetëm disa nga arsyet që shpjegojnë këtë prirje rënëse”, shkruajnë studiuesit, të cilët nënvizojnë se “skuadrat më të forta (d.m.th. më të pasura) janë ato që zakonisht fitojnë, pavarësisht se ku luajnë”.
Në këtë drejtim, dhe në veçanti për peshën specifike që i ka skuadrës vendase nga mundësia për të gëzuar mbështetje më të madhe nga tifozët e tyre, vlen të theksohet se të dhënat nuk marrin parasysh ligat e luajtura gjatë periudhës së bllokimit, gjatë të cilave për një kohë të gjatë ndeshjet luheshin pa shikues në tribuna. Focus
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.