Rinis puna në Kinë – Hapen disa fabrika, ndërkohë që koronavirusi nuk ndalet
Punëtorët kinezë janë rikthyer në zyra dhe fabrika në nisje të Javës, ndërkohë që Qeveria hoqi disa prej barrierave të epidemisë që ka vrarë mbi 900 persona deri më tani. Ditën e Diel, 97 persona humbën jetën për shkak të koronavirusit, që është dita me pasojat më të mëdha që prej shfaqjes së virusit. Tregjet e kapitalit dhe nafta pësuan rënie ndërsa ari u rrit në nisje të Javës, ndërkohë që numri i vdekjeve kaloi atë të SARS në vitin 2003.
Kina ka marrë përgjegjësi dhe po mban të gjithë peshën, ndërkohë që vetëm 2 persona kanë vdekur jashtë vendit. Virusi është përhapur në 27 vende dhe ka infektuar mbi 330 persona jashtë kinës. Dy vdekjet u regjistruan në Hong Kong dhe Filipine. Britania, që ka raportuar 4 raste të virusit, e shpalli një kërcënim të shëndetit publik, masë që i jep qeverisë fuqi për ta luftuar. Në anijen turistike në portin Yokohama në Tokjo, u raportuan 60 raste të tjera, duke e çuar totalin në 130, nga 3,700 persona që janë vendosur në karantinë brenda anijes.
Komisioni i Shëndetit në Kinë deklaroi se 3,062 të infektuar janë raportuar ditën e Diel, duke e çuar totalin në 40,171 dhe numrin e vdekjeve në 908. Mbyllja e tejzgjatur e fabrikave ka rritur shqetësimet për ndërprerje të zinxhirit botëror të furnizimeve. Tesla dhe Ford janë ndër prodhuesit e makinave që kanë thënë se do të rinisin prodhimin këtë Javë. Gjiganti i lojërave Tencent, deklaroi se i ka kërkuar stafit që të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia deri më 21 Shkurt. Samsung ka rinisur prodhimin tek fabrika e pajisjeve shtëpiake në Kinë, ndërsa Hyundai bëri të ditur se furnitorët në Kinë kanë nisur punën, por volumi nuk është i mjaftueshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.