Rinisin bisedimet SHBA-Kinë – Delegacionet do të takohen javën e ardhshme në Shanghai
Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rifillojnë bisedimet e nivelit të lartë mbi tregtinë javën e ardhshme.
Sipas një deklarate të Ministrisë kineze të Tregtisë, bisedimet e negociatorëve ekonomikë do të zhvillohen më 30 dhe 31 korrik në Shanghai, në përpjekje për të zgjidhur luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, që zgjat tashmë prej rreth një viti. Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë midis përfaqësuesve të tregtisë mes dy vendeve, që kur raundi i fundit i bisedimeve i zhvilluar në maj, dështoi pa asnjë hap pozitiv.
Që nga ajo kohë, tensionet tregtare janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Uashingtoni rriti tarifat për 200 miliardë dollarë produkte kineze nga 10% në 25%. “Për të përmbushur konsensusin e arritur mes dy presidentëve në Osaka të Japonisë, delegacionet e dy vendeve do të takohen në Shanghai në 30 dhe 31 korrik për raundin e 12-të të bisedimeve tregtare dhe ekonomike në bazë të barazisë dhe respektit reciprok”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë, Gao Feng.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping ranë dakord të rifillojnë bisedimet tregtare dhe ekonomike, në bazë të barazisë gjatë takimit të zhvilluar në samitin e G20-ës në qytetin japonez të Osakas. Tashmë që ka kaluar rreth një vit nga fillimi i luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, analistët mendojnë se shumë shpejt mund të ketë një marrëveshje, pasi tarifat reciproke kanë dëmtuar konsumin në të dyja vendet.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.