Rregulla të reja për bankat – BE, hapi i parë për luftën ndaj kredive me probleme

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë vendosur që gjatë takimit të Eurogrupit të aprovojnë planin e ri për të përshpejtuar adresimin e kredive me probleme në bankat e rajonit.
Kriza financiare që zgjati një dekadë i la bankat e rajonit me një barrë aspak të vogël: plot 1 trilionë euro kredi jo-performuese, çka ka reduktuar ndjeshëm aftësinë e tyre për huadhënie duke dëmtuar për rrjedhojë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë së kontinentit.
Sipas Valdis Dombrovskis, komisionerit për çështjet ekonomike dhe financiare, ky është hapi i parë i madh drejt zgjidhjes së këtij problemi.
Ministrat e financave nuk kanë fuqi legjislative dhe ekzekutive, e për këtë arsye, propozimi i tyre do t`i shkojë Komisionit Europian në mënyrë që të bëjë ndryshimet e duhura në ligjin e përbashkët.
Ligji i ri do të rrisë fuqitë e autoriteteve mbikëqyrëse si dhe do të detyrojë huadhënësit që të rrisin kapitalin për t`u përballur edhe me rrezikun e përkeqësimit të kredive.
Bankat mund të detyrohen që të vendosin mënjanë kapital shtesë për kredi të reja, në momentin që presin që kreditë me probleme të kapërcejnë nivelet e lejuara. Rregulla të reja do aprovohen edhe për të përmirësuar tregun dytësor të kredive me probleme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.