“Rrëzohen” bursat globale – Trazirat nisin në SHBA prej shqetësimeve mbi ekonominë dhe FED

Bursat në Shtetet e Bashkuara janë përmbysur në nisje të javës, ndërkohë që 3 indekset kryesorë në Wall Street humbën më shumë se 2%. Standard & Poor’s 500 u mbyll në nivelin më të ulët në 14 muaj prej shqetësimeve mbi ngadalësimin e ekonomisë amerikane, përpara vendimit të shumëpritur të Rezervës Federale më vonë gjatë javës për të rritur normat e interesit.
Dow Jones humbi 507 pikë apo 2.11%, në 23,592 pikë në total, S&P 500 ra me 2.08% ndërsa Nasdaq, indeksi i teknologjisë, ra me 2.27%. Trazirat në SHBA ndoqën në të gjithë botën, prej pesimizmit të investitorëve.
Indekset kryesore në Europë, përfshirë Londrën, Parisin dhe Frankfurtin, ranë me më shumë se 1% në nisje të tregtisë. Në Azi, performanca ishte gjithashtu negative. Fjalimi i dhënë nga presidenti Xi Jinping, që pritej të ngrinte moralin e investitorëve, pati ndikim minimal dhe aksionet kineze ranë me 1%.
Indeksi i Japonisë, benchmarku i rajonit, humbi 1.8%. Trazirat në tregjet e aksioneve dhe shqetësimet mbi rritjen ekonomike në të gjithë botën kanë shtuar spekulimet se Rezerva federale, që nis takimin dy-ditorë këtë javë, nuk do të rrisë normën bazë të interesit.
Indeksi MSCI që mat performancën e bursave në të gjithë botën ra me 0.25% ditën e Martë dhe ka humbur 9% nga Janari, që është ecuria më e dobët në 1 dekadë. Dollari u dobësua gjithashtu përpara takimit të bankës qendrore. Kundër euros, valuta e gjelbërt u dobësua në 1.1373 dhe humbi gjithashtu pikë kundër jenit, në 112.35.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.