Rusia vendos kufizime vizash për qytetarët e “vendeve jomiqësore”!

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të hënën një dekret për vendosjen e kufizimeve të vizave për qytetarët e vendeve që Moska i konsideron “jomiqësore” në përgjigje të sanksioneve mbi Ukrainën.
Dekreti, i cili hyn në fuqi të hënën, pezullon regjimin e thjeshtuar të dhënies së vizave të Rusisë me disa vende të Bashkimit Europian, si dhe me Norvegjinë, Zvicrën, Danimarkën dhe Islandën.
Ai urdhëroi gjithashtu ministrinë e jashtme ruse dhe organet e tjera të vendosin për vendosjen e kufizimeve të hyrjes personale për “qytetarët e huaj dhe personat pa shtetësi që kryejnë veprime armiqësore kundër Rusisë, qytetarëve të saj ose subjekteve të saj ligjore”.
Muajin e kaluar qeveria ruse miratoi një listë të vendeve jomiqësore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Britaninë, shtetet e BE-së dhe Ukrainën, ndër të tjera.
Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt në atë që e quajti një operacion special për të degraduar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të çrrënjosur njerëzit që i quajti nacionalistë të rrezikshëm.
Forcat ukrainase kanë ngritur rezistencë të ashpër dhe Perëndimi ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar atë të tërheqë forcat e saj. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.