Sërish tension në marrëdhëniet Turqi-Gjermani – Erdogan: Gjermania po nxit terroristët

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan akuzoi të hënën Gjermani se po asiston terroristët duke mos iu përgjigjur mijëra dokumenteve të dërguara drejt Berlinit, apo duke mos dorëzuar të dyshuarit e kërkuar nga autoritetet turke.
“Gjermania po nxit terroristët”, u shpreh Erdogan gjatë një konference në Rize, një provincë në Detin e Zi. Komenti i tij me shumë gjasa do të përshkallëzojë tensionet mes dy vendeve.
“Ne i dhamë Merkel 4500 dosje, por nuk kemi marrë përgjigje për asnjë prej tyre”, iu tha ai anëtarëve të partisë së tij.
“Kur ka një terrorist, ata mund të na kërkojnë t’ua dërgojnë pas atë person. Ju nuk do të na i dërgona ata që keni, por mund të na kërkoni tuajit. Pra, ju keni një sistem gjyqësor, po ne në Turqi nuk e kemi?”, u shpreh Erdogan.
Sakaq Turqia ka vendosur edhe masa të veçanta për terroristët apo të akuzuarit për grusht shteti në gjykatat në vend. Ata do të duhet të veshin uniforma të veçanta me ngjyrë kafe, të ngjashme me ato që veshin të dënuarit në burgun e Guantanamos.
Ndryshimi erdhi pasi një i dyshuar për grushtin e shtetit të Korrikut të kaluar u shfaq në gjyq me një bluzë ku shkruhej “Hero”. Disa ditë më pas, policia arrestoi në të gjithë vendin disa njerëz që kishin veshur të njëjtën bluzë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.