SHBA mendon hakmarrjen – Taksë ndëshkuese për produktet nga BE, në masën 100%

Administrata amerikane po vlerëson disa mundësi për të vendosur taksa ndëshkuese në masën 100% për disa produkte importi nga vendet e Bashkimit Europian.
Të paktën këtë pretendon “Wall Street Journal”. Në listën e produkteve që mund të futen në këtë listë radhiten; motorët Vespa të Piaggios, produktet e Nestle, djathi Roquefort, motorët suedez Husqvarna dhe ato austriakë “KMT”.
Kjo lëvizje do të jetë një kundërpërgjigje ndaj masave të ndërmarra nga Bashkimi Europian për mishin e viçit të importit nga Shtetet e Bashkuara, për të cilin Brukseli ka vendosur ta bllokojë, duke deklaruar se është mish i trajtuar me hormone.
Sipas “Wall Street Journal”, prapa kësaj lëvizje janë prodhuesit më të mëdhenj amerikan të mishit, të cilët pretendojnë se Bashkimi Europian nuk ka respektuar marrëveshjen e vitit 2009.
Kjo betejë zgjat prej vitesh dhe Kongresi amerikan në vitin 2015 aprovoi ligjin që lehtëson vendosjen e tarifave për produkte të caktuara. Këto taksa kanë një synim të qartë; të detyrojnë Brukselin të ulet në tavolinën e bisedimeve duke pranuar importin amerikan të mishit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.