SHBA shmang dështimin e pagesave të borxhit – Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin për të rritur tavanin deri në Dhjetor
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët në SHBA, i dha miratimin përfundimtar ligjit që rrit përkohësisht limitin e huamarrjes së qeverisë në 28.9 trilionë dollarë, duke e shtyrë afatin për dështim të pagesave deri në Dhjetor. Demokratët ruajtën disiplinën partiake për të kaluar rritjen me 480 miliardë dollarë të limitit të borxhit, me 219 pro dhe 206 kundër. Vota ishte kryesisht e ndarë mes partive, me të gjithë votat pro që ishin të demokratëve dhe të gjithë kundër, nga republikanët. Presidenti Joe Biden pritet ta nënshkruajë masën në ligj përpara 18 Tetorit, ku Departamenti i Thesarit ka vlerësuar se nuk do ketë më aftësi për të paguar borxhet e kombit pa veprime në Kongres.
Kalimi tek dhoma e përfaqësuesve shmangu shqetësimet se SHBA, ekonomia më e madhe në botë, do dështojë në pagesa të borxhit për të parën herë. Megjithatë, zgjatja e përkohëshme do krijojë konflikte të vazhdueshme mes partive. “Mos rritja e limitit të borxhit mund të sjellë një humbje prej 6 milionë vende pune, eliminimin e 15 trilionë dollarë pasuri të ekonomive familjare dhe rritje drrastike në kostot e kredive, kredive për makina, shtëpi, të studentit, faturat e kartave të kreditit dhe huamarrje të tjera”- tha kryetarja e dhomës, Nancy Pelosi.
Republikanët, nga ana tjetër, këmbëngulin se demokratët duhet të jenë të vetmit që marrin përgjegjësinë e rritjes së limitit të borxhit, pasi partia e tyre do të shpenzojë triliona dollarë në programe sociale dhe ndryshimin klimatik. Por, demokratët thonë se rritja e huamarrjes nevojitet kryesisht për të mbuluar kostot e mëdha të zbritjeve tatimore dhe programeve të shpenzimeve gjatë presidentit republikan Donlad Trump, që republikanët në Kongresi kanë mbështetur.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.