Shërbimet në BE, 2010-2016 – “Lulëzojnë” shërbimet e punësimit dhe informacionit

Sektori i shërbimeve ka patur një zhvillim të konsiderueshëm në Bashkimin Europian këto 6 vitet e fundit, me një rritje prej 25%. Zyra europiane e statistikave, Eurostat ka publikuar të dhënat e detajuara të këtij sektori, ku vihen re edhe degët që kanë patur rritjen më të madhe.
Aktivitetet në shërbimet e punësimit kanë patur rritjen më të madhe gjatë periudhës 2010-2016, me 57,2%, ndjekur nga aktivitetet në shërbimin e Informacionit, me një rritje prej 50,5%.
Ndërsa uljen e vetme e ka patur sektori i telekomunikacionit, me 2,3%, por në rimëkëmbje nga një periudhë krize gjatë viteve 2012-2014.
Shërbimet të cilat lidhen direkt ose indirekt me sektorin e turizmit përbëjnë një nga drejtimet kryesore në rritje të sektorit të shërbimeve. Kështu, agjencitë e udhëtimeve dhe operatorët turistikë kanë patur një rritje prej 39,1%, ndjekur nga transporti ajror dhe akomodimi me përkatësisht 29,5 dhe 28,7 për qind.
Në fushën e mediave, vijon rritja e aktivitetit të filmave, programeve televizive dhe muzikore me 37%, ndjekur nga programacioni dhe transmetimi me 24,6%. Shërbimet e marketingut dhe botimit renditen më poshtë në klasifikim, duke qenë tregje të konsoliduara më herët.
Ndërkohë, trendi i vitit 2015 tregon se rritjen më të shpejtë e kanë shërbimet e orientuara drejt bizneseve, transporti dhe ruajtja si dhe shërbimet e akomodimit dhe ushqimit.
SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.