Shpenzimet e qeverisë Gjermane – Schaeuble sheh kërcënime për “buxhetin e balancuar”

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, thotë se vendi mund të humbasë aftësinë për të mbajtur një buxhet të balancuar, duke marrë parasysh presionet për të rritur shpenzimet qeveritare.
“Parametrat e buxhetit për vitin 2018 dhe plani deri në vitin 2021, shënojnë herën e katërt radhazi që Qeveria paraqet një buxhet pa borxh të ri”, tha ministri.
Megjithatë, ai shtoi se kjo nuk mund të merret si e mirëqenë pavarësisht zhvillimeve pozitive të ekonomisë, normave të ulëta të interesit dhe rezervat për emigrantët të krijuara në 2015 dhe 2016.
Ministri theksoi se politikat ekspansioniste të qeverisë në vitet e fundit, përfshirë shpenzimet më të mëdha për mbrojtje si dhe ndihmat financiare për qeveritë lokale, po kërcënojnë buxhetin e balancuar (schwarze Null) të Berlinit.
Sipas Reuters, Gjermania planifikon të rrisë shpenzimet me 1.9% në 335.5 miliardë euro në 2018-ën, me paranë shtesë që do të shkojë kryesisht në integrimin e refugjatëve, ndihmat për zhvillim, si dhe në shpenzimet mbrojtje e siguri të brendshme.
Kabineti pritet të miratojë planin në Qershor, por mund të jetë subjekt i rishikimit nëse një koalicion i ri vjen në pushtet pas zgjedhjeve në Shtator.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.