Shqetësime për interesat negative – Anëtarët e BQE paralajmërojnë për “efekte anësore”
Anëtarët e Bankës Qendrore Europiane kanë shprehur shqetësime ndaj politikave aktuale të normave negative të interesit dhe ndikimet e tërthorta që mund të kenë te sistemi financiar i rajonit.
Guvernatori i bankës së Italisë, Ignazio Visco, tha se normat negative të interesit janë shembulli i politikave “të jashtëzakonshme” që janë zbatuar nga banka qendrore e Eurozonës. “Duhet të kemi shumë kujdes për efektet anësore”, tha ai në takimin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Banka Qendrore Europiane lajmëroi një paketë shtesë të stimujve monetarë në takimin e fundit, përfshirë programin e blerjes në treg të hapur dhe uljen e interesave në -0.5%. Normat negative të depozitave detyrojnë bankat që të paguajnë para për rezervat që mbajnë te Institucioni në Frankfurt, çka limiton fitimet e huadhënësve që kanë ende në bilanc aktive të “hidhura” nga kriza e borxhit sovran të 2011-ës.
Në përpjekje për të zbutur presionet nga interesat negative, BQE prezantoi një sistem me dy nivele, që përjashton një pjesë të depozitave të bankave nga tarifa. Visco tha se politika ka patur deri më tani efekt neutral te fitimet e bankave, duke thënë se marzhet janë reduktuar, por janë kompensuar nga rritja e kredive.
Ai i quajti interesat negative të përballueshme për momentin, por shtoi se i duhet dhënë prioritet mjeteve të tjera si blerjet në treg të hapur.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.