Si u hap në Tiranë në 1934 filiali i Bankës së Eksportimit Beograd? Historiku i bankës që vendosi tabelë në shqip për të respektuar “sedrën kombëtare” të shqiptarëve

Në vitet ’30 Shqipëria kishte edhe një bankë tjetër, krahas Bankës Kombëtare të Shqipnis’. Në 6 maj të vitit 1934, në orën 11:00 do të çelte dyert për herë të parë në Tiranë Banka e Eksportimit Beograd. Por si u hap kjo bankë dhe cili ishte misioni i saj? Në vitin 1933 Shqipëria po haste vështirësi financiare ndërsa marrëdhëniet me Italinë ishin të përkeqësuara. Në këto kushte, qeveria shqiptare do të kërkonte bashkëpunim me Jugosllavinë.
Në dhjetor të 1933 do të nënshkruhej edhe një marrëveshje tregtie mes dy vendeve. Një nga anekset e marrëveshjes do të parashikonte hapjen e një degë të bankës jugosllave në Shqipëri. Misioni i bankës do të ishte lehtësimi i transaksioneve financiare e tregtare mes dy vendeve.
Banka e Eksportimit Beograd u zgjodh për të hapur një degë në Tiranë në maj të 1934. Marrëveshja mes bankës dhe shtetit jugosllav parashikonte që kostot të mbuloheshin nga shteti jugosllav në masën 2 milionë dinarë, si shpenzime administrative e 8 milionë dinarë për kreditimin e aktivitetit të biznesit në Shqipëri.
Hapja e degës së bankës së Beogradit në Shqipëri do të konsiderohej një zhvillim pozitiv për ekonominë. Në shtypin e kohës jepet gjerësisht ceremonia e fillimit të aktivitetit të kësaj banke në Shqipëri.
Në ceremoninë e hapjes së bankës do të merrnin pjesë pak njerëz pasi, sipas raportimeve të kohës, vendi ishte i ngushtë. Në ceremoni merrnin pjesë Ministri i Financave dhe ministri i Jashtëm, krerët e komuniteteve fetare, kreu i Bashkisë së Tiranës, prefekti, kreu i Dhomës së Tregtisë Omer Fortuzi, dy deputetë, gazetarë dhe dy drejtorë të përgjithshëm. Godina ku do të vendosej banka do të ishte në pronësi të doktor Osman Jonuzit ( i cili gjithashtu ishte i pranishëm në ceremoni) në bulevardin e emërtuar në atë kohë, Benitto Mussolini.
Shtypi do të raportonte gjithashtu se ‘të ftuarit u gostitën me shampanjë e sanduiçe”.
Një element interesant që sillet në raportimin e gazetës “Minerva” për ceremoninë në fjalë është se banka zgjodhi të vendosë tabelën me emrin shqip “Banka e Eksportimit Beograd” si dëshmi e respektimit të “sedrës kombëtare” të shqiptarëve.
“Banka e Eksportit Beograd, me tabelën thjeshtë shqip të saj na jep shenjën e parë të korrektesës e qartësisë së saj dhe fakti meriton të shënohet” shkruhet në artikull.
Po ashtu në artikull evidentohet se qëllimi kryesor për të cilën Banka e Eksportimit ka hapur një degë në Tiranë-e parashikohej të hapte degë të tjera në krahinat kryesore të vendit, është zhvillimi i import-eksportit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Drejtuesi i bankës do të ishte një kroat, Gojko Gjermanovic, 40 vjeçar.
I lindur në Zagreb, ai do të mbaronte akademinë e tregtisë. Në vitin 1912 do të fillonte karrierën si bankier në Bankën e Eskontit në Kroaci për të kaluar më pas në sistemin bankar në Beograd në 1919.
Pavarësisht ambicies së madhe të shpallur në fillim, kjo bankë nuk do të arrinte të luante një rol të rëndësishëm e as të inkuadrohej në jetën ekonomike të Shqipërisë së atyre viteve.
Kreshnik KUÇAJ/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.