Studimi zbulon: Trajtimet e infertilitetit rrisin rrezikun e komplikimeve të zemrës dhe shtatzënisë!

Nëse jeni një nga miliona gra që planifikojnë të përdorin trajtime të infertilitetit për të pasur një fëmijë, kini parasysh se studimet e reja zbuluan se gratë mund të jenë në rrezik të shtuar për komplikime vaskulare dhe të lidhura me shtatzëninë, veçanërisht nëse janë 35 vjeç e lart.
Studimi, i botuar të martën në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës, krahasoi më shumë se 106,000 lindje në të cilat foshnja u ngjiz me teknologji riprodhuese të asistuar me më shumë se 34 milionë lindje të konceptuara pa një ndihmë të tillë.
Gratë që përdornin trajtime të infertilitetit kishin më shumë sëmundje paraekzistuese, si presioni i lartë i gjakut dhe diabeti, dhe kishin më shumë gjasa të ishin obeze kur filluan trajtimin, zbuloi studimi.
Gratë që përdornin teknologjinë riprodhuese të asistuar për të mbetur shtatzënë kishin një rrezik 2.5 herë më të lartë të dështimit akut të veshkave dhe një rrezik 65% më të lartë për një rrahje të parregullt të zemrës. Ata gjithashtu kishin një rrezik 57% më të lartë të shkëputjes së placentës, kur placenta ndahet nga muri i brendshëm i mitrës para lindjes. Gratë kishin gjithashtu 38% më shumë gjasa të kishin nevojë për një lindje cezariane dhe 26% më shumë gjasa të kishin një fëmijë të lindur para kohe.
Një kufizim i studimit ishte se ai nuk krahasoi trajtime të ndryshme të fertilitetit, gjë që është një “dallim i rëndësishëm”. Studimi zbuloi gjithashtu se kishte rreziqe në rritje për gratë që iu nënshtruan trajtimeve të fertilitetit edhe kur nuk kishin simptoma paraekzistuese të sëmundjes së zemrës.
PCOS ose sindroma e vezores policistike, një çrregullim i zakonshëm hormonal tek gratë është një shkak kryesor i infertilitetit dhe gjithashtu vjen me një rrezik të rritur gjatë jetës për sëmundje kardiovaskulare. Gratë me PCOS kanë shtatë herë më shumë gjasa të pësojnë një atak në zemër.
Mesazhi kryesor i studimit është nevoja që gratë të adresojnë çdo faktor rreziku për sëmundjet e zemrës përpara se të mbeten shtatzënë nëse kjo është e mundur. Gratë mund të fokusohen në humbjen e peshës, uljen e presionit të lartë të gjakut dhe marrjen nën kontroll të kolesterolit të tyre. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.