Sulmi kibernetik “WannaCry” – Kode të tjera pritet të zbulohen, Microsoft nuk mban përgjegjësi

Bota po përgatitet për një tjetër valë sulmesh kibernetike, teksa grupi që lëshoi mjetet e hackimit të SHBA që u përdorën në sulmin “ransomware” WannaCry, paralajmëroi se do të lëshojë kode të tjera keqbërëse.
Është ende i panjohur identiteti dhe motivi e grupit që nisi fushatën e hackimit, e cila infektoi mbi 300 mijë kompjutera në të gjithë botën.
Kodet e reja do të mundësonin aksesin në më shumë kompjutera, programe dhe celularë, duke zbuluar disa nga sekretet më të mëdha të gjigandëve të teknologjisë.
Deri më tani dëmet më të shumta janë shkaktuar në Rusi, Taivan, Ukrainë dhe Indi, ndërkohë që sulmet vijojnë me ritme më të ngadalta.
Kompania Microsoft ka folur për sulmet duke hedhur poshtë zërat për çështje gjyqësore kundër saj. Sipas Microsoft, kompjuterat e prekur përdornin Windows XP, ose nuk kishin bërë përditësime në sistemin e sigurisë.
Vetë kompania kishte nxjerrë një update në Mars, i cili pengonte WannaCry dhe sulme të tjera. Mbi të gjitha, kompania kur shet programe ka një marrëveshje licence, e cila specifikon se kompania nuk është përgjegjëse për shkeljet e sigurisë.
Një mbrojtje të ngjashme ka dhe NSA, e cila bazohet tek doktrina e imunitetit sovran, që thotë se qeveria nuk mund të paditet sepse zbaton detyrën e saj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.