Surprizon Banka e Kanadasë – Rrit normën bazë të interesit në 1%, fuqizohet dollari kanadez
Banka e Kanadasë kapi në befasi investitorët, duke rritur normën bazë të interesit dhe duke lajmëruar më shumë ndërhyrje gjatë 2017-ës, gjë që çoi dollarin kanadez në nivelet më të larta në 2 vite.
Megjithatë, zyrtarët e bankës premtuan se do t’i kushtojnë vëmendje ndikimit të kostove më të larta të huamarrjes te ekonomitë familjare që mbajnë nivele të mëdha të borxhit.
Rritja me 25 pikë bazë (0.25%) në 1%, vjen pas ndërhyrjes së muajit Korrik dhe e vendos Kanadanë në ritëm për të çuar kostot e huamarrjes në nivele normale, pas reduktimeve gjatë krizës financiare.
Ndërkohë që Rezerva Federale në SHBA ka nisur gjithashtu tkurrjen monetare, ritmi është ngadalësuar.
Banka e Kanadasë deklaroi se rritja ishte e garantuar duke parë rritjen e fortë të ekonomisë gjatë tremujorit të dytë, megjithatë ndërhyrjet në të ardhmen nuk janë të paracaktuara dhe do të drejtohen nga zhvillimet në tregje.
Shumica e analistëve prisnin që banka të ndërhynte në muajin Tetor. Dollari kanadez u rrit me më shumë se 2% pas lajmërimit, në nivelin më të lartë që prej Qershorit 2015 në 1.2140 për dollar, ndërsa yieldi i titujve 2-vjeçarë u rrit me 10 pikë bazë në 1.45%, që është niveli më i lartë që prej Prillit 2012.
Hapi radhës tashmë është i pasigurtë, duke marrë parasysh cënueshmërinë e ekonomive familjare dhe tregut të shtëpive ndaj normave më të larta të interesit.
Borxhi i ekonomive familjare në Kanada është në nivel rekord ndërsa çmimet e shtëpive në Toronto, kanë rënë me gati 20% nga niveli i lartë i muajit Prill.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.