Takimi i liderëve të APEC – Bien dakord të trajtojnë praktikat e padrejta tregtare
Liderët e Azisë dhe Paqësorit ranë dakord të adresojnë praktikat e padrejta tregtare dhe bënë thirrje për heqjen e ndihmave publike që shtrembërojnë tregjet, duke bërë kontrast me deklaratat e bëra në të shkuarën.
Deklarata e përbashkët nga 21 vendet e Forumit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit, tregoi edhe influencën e Presidentit Donald Trump, i cili ka thënë se do të ndryshojë paktet tregtare që i sheh si të pafavorshme ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Ne do të përpiqemi të bëjmë tregtinë më gjithëpërfshirëse, mbështesim hapjen e aksesit drejt tregjeve dhe të trajtojmë praktikat e padrejta tregtare. Bëjmë thirrje urgjente për heqjen e ndihmave qeveritare që shtrembërojnë tregjet”, deklaruan liderët e 21 vendeve.
Ndryshe nga herët e tjera, liderët theksuan rëndësinë e marrëveshjeve dypalëshe. Ndryshimi në qasjen ndaj tregtisë reflekton influencën e politikës së Donald Trump, “Amerika e Para”. Trump ka thënë se preferon marrëveshjet bilaterale të tregtisë dhe në një nga aktet e tij të para si president, tërhoqi Shtetet e bashkuara nga Partneriteti i Trans-Paqësorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.