Tanzania i “shpall luftë” koncesionarëve të huaj – 190 mld$ gjobë kompanisë së nxjerrjes së arit

Qeveria e Tanzanisë i ka kërkuar “Acacia Mining”, një nëndegë e kompanisë më të madhe në botë të minierave të arit “Barrick Gold”, të paguajë afërsisht 190 miliardë dollarë taksa të rishikuara, interesa dhe gjoba.
Ky zhvillim i fundit i vendos kompanitë e minierave kundër presidentit John Magufuli, ndërsa gjasat më të mëdha janë për mbylljen ose shtetëzimin e minierave.
Deri para këtij rishikimi të taksave, Tanzania ofronte lehtësira të mëdha për këto lloj kompanish, me taksa të ulëta, kushte bujare licencash, si edhe përjashtime nga taksimi në raste të ndryshme.
Sektori i nxjerrjes së mineraleve kontribuon në 3% të PBB të vendit, ndërsa minierave të tanzanitit dhe diamandit do t’i shtohen miniera uraniumi, qymyri dhe hekuri. Megjithatë ari do të mbajë peshën më të madhe.
Tanzania është prodhuesi i katërt më i madh në Afrikë i arit dhe kompanitë Acacia e AngloGold Ashanti nxorën vitin e kaluar 37 ton nga ky mineral.
Së fundmi qeveria miratoi tre ligje të cilat ulin të ardhurat e kompanive të minierave, falë përqindjeve më të mëdha të kërkuara nga shteti e rritjes së taksave.
Kompanive minerare gjithashtu u kërkohet të trajnojnë vendas dhe t’u japin përparësi furnizuesve lokalë, çka synon të nxisë punësimin në vend dhe të rrisë fitimet e sipërmarrjeve tanzaniane.
Acacia ra dakord me disa nga këto masa disa javë më parë, por kjo nuk e ndali presidentin Magufuli. Sipas përllogaritjeve, kompania nuk mund të fitojë kurrë para mjaftueshëm nga koncesioni i minierave për të paguar shifrën e kërkuar.
Presidenti ka akuzuar kompanitë e minierave edhe për nënraportim të sasisë së mineralit të gërmuar dhe pasurisë nëntokësore. Nëse pretendimet janë të vërteta, atëherë dy nga minierat në vend do të ishin ndër më të mëdhatë në planet dhe Tanzania nuk do të kishte prodhuar 55 ton ari, por 154 ton. Kjo do të përbënte 5% të prodhimit global të këtij minerali të çmuar.
Presidenti ka paralajmëruar kompanitë minerare se nëse vazhdojnë të shtyjnë negociatat për kushtet e reja të kërkuara, ai do t’i mbyllë minierat dhe do t’ua japë tanzanianëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.