Të dhëna mikse për Britaninë – Rritja e pagave ngadalësohet, papunësia bie në nivel rekord

Rritja e pagave në Britani vazhdon të ngadalësohet ndërsa kosto e jetesës po rritet, pavarësisht normës së papunësisë që ka rënë në nivelin më të ulët në 42 vite.
Të dy publikimet do të komplikojnë debatin e politikëbërësve të Bankës së Anglisë, për nevojën e rritjes së normave të interesit.
Sterlina u fuqizua kundër dollarit amerikan, ndërkohë që të dhënat treguan se norma e papunësisë ra në nivelin më të ulët që prej 1975-ës, në 4.5%.
Megjithatë, me rritjen e ngadaltë të pagave, ekonomitë familjare po ndiejnë vështirësitë nga rritja e nivelit të çmimeve. Zyra Kombëtare e Statistikave deklaroi se pagat përfshirë bonuset, të përshtatura me inflacionin, ranë me 0.7% në periudhën Mars-Maj me bazë vjetore, që është rënia më e madhe që prej 2014-ës.
Në terma nominalë, të ardhurat totale u rritën me një normë vjetore prej 1.8%, që është gjithashtu niveli më i ulët në 3 vite.
Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar arriti në 2.9% në muajin Maj, niveli më i lartë në 4 vite.
Disa ekonomistë argumentojnë se norma e ulët e papunësisë ka gjasa të shihet nga politikëbërësit e Bankës së Anglisë, se ekonomia po operon në kapacitet të plotë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.