Të dhënat – Pas bjellorusëve, italianët martohen më së shumti me shqiptarët dhe rusët

Numri i martesave në Itali vijon të rritet. Ky është përfundimi i raportit vjetor të Istat (institutit italian të statistikave), ku shifrat e fundit të marra në konsideratë janë të vitit 2015.
Përgjatë këtij viti martesat kanë shënuar një rritje me 4600 më shumë se në vitin 2014. Riti që bashkëshortët zgjedhin për kremtimin e martesës së tyre është ai fetar, i cili përbën edhe rreth 54.6 për qind të martesave. Veriu dhe Qendra e Italisë zgjedhin kryesish ceremonitë civile në shumicën e rasteve.
Në rang ndërkombëtar, Italia vijon të mbetet një nga vendet me numrin më të ulët të martesave, përveç Portugalisë dhe Sllovenisë, të cilët kanë edhe normën më të ulët.
Sipas të dhënave të Istat, italianët martohen më së shumti me bjellorusët (8.9 mijë), shqiptarët (8.7 mijë) dhe rusët 8.3 mijë.
Sa i takon ndarjeve në mënyrë ligjore në vitin 2015 u shënua një rritje në 91 706, nga 89 303 që ishte në vitin 2014. Ndërkohë, ndarjet konsensuale, si në vitet e kaluara, janë dukshëm më të larta se ato gjyqësore dhe përbëjnë 82.2% të totalit.
Shkurorëzimet në 2015 janë rritur ndjeshëm duke arritur në 82 469, nga 52 355 që rezultonin në vitin 2014. Numri i lartë i shkurorëzimeve lidhet kryesisht me hyrjen në fuqi të ‘divorcit të shpejtë’ në vitin 2015, i cili ka ulur në mënyrë drastike kohën që duhet të kalojnë detyrimisht mes ndarjes dhe divorcit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.