Trefishohet tregu farmaceutik – BE, nga 76 mld euro në 2002, në 220 mld euro në 2016

Bashkimi Europian është importuesi dhe eksportuesi më i madh i ilaçeve në botë për vitin 2016, tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat. Partnerët kryesorë tregtarë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicra, që zënë një të katërtën e eksporteve jashtë unionit.
Që prej vitit 2002, tregu farmaceutik në Europë është rritur me ritme të qëndrueshme, duke u trefishuar gjatë këtyre 15 viteve, nga 76 miliardë euro, në 220 miliardë euro. Vetëm për 2016, rritja fiksohet në 7.8%. Gjatë së njëjtës periudhë kohore, tregtia brenda vetë unionit është dyfishuar, nga 156 miliardë, në 327 miliardë euro, çka përkthehet në një rritje vjetore prej 5.4%.
Suficiti tregtar, që prej vitit 2002 është rritur ndjeshëm, nga 22 miliardë euro në 69 miliardë euro. Pavarësisht krizës globale gjatë kësaj periudhe kohore, tregu farmaceutik nuk është ndalur për asnjë moment, dhe rritja e eksporteve ka qenë më e ndjeshme se ajo e importeve. Gjatë 2016-ës, Bashkimi Europian eksportoi produkte farmaceutike për një vlerë prej 144 miliardë euro dhe importoi 75 miliardë euro.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë importuesi numër një i produkteve europiane, me 86 miliardë euro, dhe Zvicra e dyta me 65 miliardë. Sa i përket shteteve të caktuara, Gjermania mbetet tregtuesi numër një, dhe ndiqet nga Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Irlanda.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.