Treguesi i OBT, alarmues – Shënon nivelin më të ulët në 9 vite. Paralajmëron Organizata
Treguesi tremujor i Organizatës Botërore të Tregtisë, ra në nivelin më të ulët në 9 muaj, gjë që duhet të përgatisë politikë bërësit për një ngadalësim më të madh nëse vazhdojnë tensionet tregtare.
Treguesi tremujor mbi perspektivën i Organizatës, që përbëhet nga 7 variabla, arriti në 96.3 pikë, që është niveli më i ulët që prej Marsit 2010 dhe poshtë nivelit prej 100 pikë që ndan rritjen nga tkurrja.
“Kjo humbje e vazhdueshme e vrullit vë në dukje urgjencën për të ulur tensionet tregtare, që së bashku me rreziqet politike dhe luhatjet financiare mund të shkaktojnë një ngadalësim ekonomik”, deklaroi Organizata. OBT projektoi në muajin Shtator se rritja botërore e tregtisë do të ngadalësohet në 3.7% në vitin 2019, nga 3.9% në 2018-ën, por që mund të ketë një ngadalësim shumë më të madh në varësi të veprimeve politike.
Treguesi tremujor bazohet në volumin e mallrave të tregtuara në tremujorin e kaluar, porositë për eksporte, dërgesat ndërkombëtare ajrore, aktivitetin në porte bazuar te numri i kontejnerëve, prodhimin dhe shitjen e makinave, komponentët elektronikë dhe materialet bazë të bujqësisë. Të gjithë këto tregues, përveç aktivitetit në porte, rezultuan poshtë 100 pikëve. Indeksi për kontejnerët, në 100.3 pikë, mund të jetë influencuar nga dërgesat e mëdha nga Kina, përpara rritjes së pritur të tarifave.
Tensionet ndërkombëtare të tregtisë mund të arrijnë kulmin në muajin e ardhshëm, nëse SHBA dhe Kina dështojnë të arrijnë një marrëveshje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.