Trump flet për Korenë – “S’ka të ardhme ekonomike nëse nuk braktis programin bërthamor”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Korea e Veriut nuk ka të ardhme ekonomike nëse vazhdon me programin bërthamor, por shtoi se do të ndodhë e kundërta nëse 2 vendet arrijnë në një marrëveshje.
Takimi i dytë mes Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në Vietnam, dështoi të sjellë një dakordësi për heqjen e sanksioneve ndaj vendit në këmbim të braktisjes së programit bërthamor.
“Korea e Veriut ka një të ardhme të ndritur ekonomike nëse ata arrijnë një marrëveshje, por nuk do ta kenë këtë nëse vazhdojnë me armët bërthamore. Deri më tani, gjërat po shkojnë mirë dhe marrëdhëniet janë fuqizuar. Kjo është e rëndësishme duke marrë parasysh situatën që po trajtojmë”– tha Trump.
Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Veriut kanë bërë të ditur se synojnë të vazhdojnë bisedimet, por nuk kanë lajmëruar se kur do të zhvillohet takimi i tretë.Shumë persona e vlerësuan Trump që refuzoi të pranojë një marrëveshje të keqe. Të tjerë, e kritikuan, kur presidenti ra dakord me pohimin e liderit korean, se nuk ishte në dijeni për trajtimin e studentit amerikan në burgun e Koresë së Veriut.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.