Vaksina e Pfizer, më gjatë në frigorifer / FDA: Mund të ruhet për 1 muaj në temperatura 2-8 gradë Celcius
Administrata e Barnave dhe Ushqimeve në Shtetet e Bashkuara, autorizoi ruajtjen e vaksinës së Pfizer me BioNTech në temperatura standarde të frigoriferit për deri një muaj, në përpjekje për ta bërë vaksinën më të aksesueshme. Shishkat e pahapura të vaksinës mund të ruhen në temperatura frigoriferi prej 2-8 gradë Celcius për deri një muaj, nga limiti maksimal prej 5 ditësh që ishte më parë. “Ky ndryshim duhet ta bëjë vaksinën gjerësisht të disponueshme për publikun amerikan, duke lehtësuar aftësinë e ofruesve të vaksinave, si mjekët e familjeve, që të marrin, ruajnë dhe administrojnë injeksionin”- tha Peter Marks, drejtori i hulumtimeve biologjike tek Administrata e Barnave. Ky ndryshim është veçanërisht i rëndësishëm për njësitë e largëta amerikane dhe në botë, që kanë transport dhe infrastrukturë të dobët. Brenda ditës, Autoritetet e Shëndetësisë në Kanada theksuan se kanë miratuar ruajtjen e vaksinës në temperatura standarde për 1 muaj, duke lejuar më shumë fleksibilitet për planet e shpërndarjes. Vaksina e Pfizer mori miratim për përdorim emergjent në Dhjetor, me një etiketë që kërkon ruajtjen në temperatura -80 – -60 gradë celcius, çka nënkupton se duhej transportuar në kontejnerë specialë.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.