Vendet e BE “akuzojnë” Rusinë për gazin – Nuk po ofron gaz shtesë nga kontrata përballë rritjes së çmimeve

Komisioni Europian po shqyrton ankesat e disa vendeve të Bashkimit Europian se Rusia po përdor pozicionin në treg si furnitor gjigant, për të nxitur rritjen e çmimeve të gazit në rajon. Furnitori rus Gazprom ka përmbushur detyrimet e shitjeve në kontratat afat-gjatë, por nuk i ka shtuar. Kjo ka tërhequr akuza nga politikanët e Bashkimit Europian, se po rrit çmimet në Europë, që kanë arritur në nivele rekord të larta prej tkurrjes së ofertës dhe faktorë të tjerë. “Ne po shohim këtë pretendim, së bashku me zv/presidenten Vestager, që është e përgjegjshme për rregullat e konkurrencës, pasi është çështje me rëndësi”- tha komisionerja e Energjisë në Europë, Kadri Simson.
Ndërkohë shefja e konkurrencës Margrethe Vestager, tha se sipas vlerësimeve fillestare, Rusia po respekton kontratat afat-gjatë. Gazprom dhe Kremlini kanë thënë vazhdimisht se Rusia ka furnizuar klientët me gaz sipas kontratave ekzistuese. Rusia është furnitori kryesor i gazit në Europë, duke kontribuar me 43% të importeve të gazit në BE në vitin e kaluar. Moska po pret miratim rregullator për gazsjellësin Nord Stream 2, për të nisur pompimin e gazit në Gjermani. Kritikët thonë se Rusia ka ushtruar presion për të përshpejtuar miratimin e projektit, duke mos furnizuar gaz shtesë në Europë, përballë rritjes së çmimeve.
Brukseli do publikoi javën e ardhshme udhëzime për vendet që të reagojnë ndaj rritjes së çmimeve, përfshirë subvencione dhe zbritje tatimore të energjisë, masa që disa qeveri i kanë prezantuar. Simson tha se udhëzimet do konsiderojnë gjithashtu masa që mund të merren në nivel të BE. Vende, përfshirë Spanja, Franca dhe Polonia, kanë thënë se tkurrja e çmimeve duhet të përballet me një koordinim europian, si reforma në tregun e energjisë apo blerje të përbashkët të gazit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.