Viti 2017, pozitiv për bursat – Indeksi S&P 500 publikon fitime në çdo muaj të vitit

Viti 2017 ka qenë mjaft pozitiv për tregjet globale të aksioneve, por pritshmëritë janë që edhe viti 2018 të vijojë me performancë pozitive. Përparimi i sektorit të teknologjisë së informacionit ka bërë indeksi S&P 500 të qëndrojnë në nivelet më të larta historike.
Gjatë sesionit të fundit të javës, kompanitë Facebook, Amazon.com, Netflix dhe Google, që ndryshe njihen si grupi “FANG”, fituan mbi 1.4% të vlerës gjatë javës që u mbyll më 8 dhjetor, duke rikuperuar të gjitha humbjet e realizuara gjatë javës paraardhëse. Rikthimi i shpejtë i këtyre kompanive ka bërë që vëzhguesit e tregut të parashikojnë një performancë pozitive të këtij sektori, që do të çojë indeksin S&P 500 në një rekord të ri deri në fund të vitit.
Nëse kjo do të ndodhë, atëherë 2017 do të ishte viti i parë që ky indeks shënon kthime pozitive në çdo muaj kalendarik të këtij viti.
Përveç të dhënave ekonomike, tregjet e kapitali ndjekin edhe një ecuri historike. Dhjetori, tradicionalisht ka qenë muaji më i mirë për tregjet e aksioneve, pasi që nga viti 1927 indeksi S&P 500 i ka realizuar fitimet më të mëdha pikërisht në muajin e fundit të vitit.
Gjatë javës, indeksi Nasdaq 100 publikoi fitime në çdo sesion, duke rikuperuar humbjet prej 1.2% të javës paraardhëse. Analistët mendojnë se, tregjet globale do të vijojnë performancën pozitive edhe për ditët e mbetura të vitit 2017, nëse nuk do të ketë surpriza.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.