Wall Street, vajza e vogël prej bronzi përballë demit për “barazi gjinore”
Statujës ikonike të demit në Wall Street ditën e martë iu bashkua edhe një statujë e një vajze të vogël. Statuja e vajzës është vendosur nga një firmë në Wall Street, si pjesë e një fushate për të nxitur kompanitë të vendosin më tepër femra në bordet e tyre drejtuese.
Vendosja e vajzës së vogël përballë demit, me një qëndrim sikur po i bën ballë pa patur frikë, është një mënyrë për të apeluar për barazi në drejtim dhe në paga për femrat që punojnë në sektorin financiar.
Ndonëse sipas State Street, gratë kanë përparuar shumë në këtë fushë, vetëm një në katër kompani që hyjnë në indeksin Russell 3000 kanë përfaqësuese femra në bordin e tyre.
“Sot u bëjmë apel të gjitha kompanive të marrim masa konkrete për të rritur diversitetin gjinor në bordet e tyre dhe kemi jemi gati për t’i ndihmuar këto kompani të fillojnë marrjen e masave”, tha CEO i ‘State Street Global Advisors’, Ron O’Hanley.
Sa i përket statujës, kompania po nxit bashkinë që të qëndrojë së paku një muaj, dhe nëse qyteti vendos që mund të rrijë dhe më gjatë atëherë kompania është më se dakord me këtë gjë.
Vajza e vogël prej bronzi u vendos në orët e para të mëngjesit, ashtu si demi, në formën e artit gueril, por ndryshe nga demi, firma e kishte diskutuar më parë qëndrimin e përkohshëm me bashkinë.
Ndërkohë, organizatat e ndryshme u kanë bërë thirrje grave të cilat nuk mund ta marrin ditën pushim, të limitojnë blerjet e tyre tek biznese me pronare gra, ose të vishen me të kuqe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.