Yellen për premtimet e Trump : “Rritja me 3% mbetet sfiduese prej produktivitetit të dobët”
Kryetarja e Rezervës Federale, Janet Yellen, tha se do të ishte sfiduese për Shtetet e Bashkuara që të arrihet norma e rritjes ekonomike prej 3%, e caktuar nga presidenti Donald Trump.
Trump ka premtuar të nxisë rritjen ekonomike në një normë vjetore prej 3% dhe se për të arritur këtë shifër, parashikoi një ndryshim të planit tatimor.
Rezerva Federale, Zyra e Buxhetit në Kongres dhe ekonomistë të tjerë, argumentojnë se popullsia në plakje dhe rritja e ngadaltë e produktivitetit do të bëjnë që potenciali i rritjes ekonomike të zbresë në 2% apo më pak.
“Mendoj se do të ishte fantastike nëse do të arrihej ky objektiv”, tha Kreu i bordit të guvernatorëve, Janet Yellen.
Megjithatë, sipas saj, do të jetë shumë sfiduese dhe do të kërkojë një serë ndryshimesh të mëdha, nga reformat tatimore e deri te përmirësimi i sistemit të edukimit, që kontribuojnë në produktiviteti e punës.
Senati i kërkoi ide Janet Yellen mbi mënyra të nxitjes së ekonomisë, duke e pyetur nëse objektivi i Trump është i arritshëm dhe nëse premtime si reformat tatimore do ta mbështesin atë objektiv.
Yellen tha se ekzistojnë shtrembërime në kodin tatimor të korporatave dhe se mund të ndryshohet për të përmirësuar produktivitetin.
Yellen shtoi se së bashku me reformat tatimore, fokusi duhet të jetë te edukimi, investimet publike dhe private si dhe te politikat që ndikojnë ritmin e zhvillimit teknologjik.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.