Zgjedhjet e SHBA në bursa – Dollari dhe interesat e borxhit bien, aksionet pësojnë rritje

Tregjet e kapitalit në të gjithë botën janë rritur pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ku demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë, rezultati mund të përjashtojë reduktimet e mëtejshme tatimore, gjë që solli uljen e dollarit amerikan dhe interesave të borxhit.
Demokratët fituan më shumë se 30 vende, nga 23 që i duheshin për të marrë mazhorancën për të parën herë në 8 vite. Ndërkohë që republikanët mbajtën mazhorancën në Senat, rezultati i zgjedhjeve të ditës së Martë erdhi sipas pritshmërive.
Por, ndërkohë që situata mund të cenojë axhendën politike dhe ekonomike të Trump, shumë pak analistë presin një përmbysje të reformës tatimore dhe derregullimeve financiare që janë zbatuar. Kjo perspektivë çoi titujt e kapitalit në Shtetet e Bashkuara në rritje ditën e djeshme. Humori ndoqi edhe në sesionin tregtar aziatik e më pas në Europë, ku bursat u hapën në rritje.
Nga ana tjetër, investitorët argumentojnë se demokratët do të kenë aftësinë për të hetuar kthimin tatimor të Trump, konfliktet e interesit dhe përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Për më tepër, ndarja e kongresit do të frenojë iniciativën e Trump për një tjetër raund të uljeve tatimore dhe derregullimeve financiare, masa që i kanë shërbyer si karburant, rritjes së ekonomisë amerikane, bursave dhe dollarit.
Kjo perspektivë, çoi dollarin në rënie me 0.4% kundër shportës kryesore të valutave. Në tregjet e borxhit, yield-i 10-vjeccar i Thesarit ra poshtë 3.18%. Vëmendja do të shkojë edhe te tarifat tregtare, që Trump i vendosi pa miratim në Kongres.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.