Zvarritja e formimit të institucioneve – Skadon kredia e planifikuar e FMN-së për Kosovën
Zvarritja e formimit të institucioneve po i shkakton dëme të mëdha vendit. Kosova humbi 15 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi marrëveshja për kredi, e paraparë të nënshkruhet në qershor, dështoi për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.
Përfaqësuesi rezident i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen, ka thënë se kredia e planifikuar për Kosovën skadoi, pasi që ishte kohë zgjedhjesh dhe vendi ishte pa Qeveri, raporton KTV.
Në anën tjetër, kryeshefi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se dështimi i kësaj marrëveshjeje do të pengojë realizimin e shumë projekteve të parapara me këtë kredi.
Kosova kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015. Vlera e saj ishte rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, e cila skadoi 4 gushtin e këtij viti. Ndërsa, Kosova që nga 2009-a është pjesë e këtij fondi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.