“Rikthehet besimi” – Rriten kërkesat për shtëpi pushimi në Greqi, ndikojnë dhe çmimet
Rritja e vazhdueshme e turizmit në Greqi po nxit njëkohësisht edhe tregun e pasurive të paluajtshme në vend, sidomos në pjesën e shtëpive në fshat.
“Greqia është edhe njëherë në krye të destinacioneve turistike. Kjo ndihmon edhe në blerjen e vilave, thonë agjentët real estate si dhe kontraktorët”, shkruan e përditshmja gjermane ‘Handelsblatt’.
Gazeta vë re se Greqia po i drejtohet për të tretit vit radhazi një rekordi në numrin e turistëve, por kjo edhe prej zhvillimeve jo të favorshme në vendin fqinj Turqi, apo në vendet e Afrikës Veriore.
“Siç mund të shihet, nga rritja e numrit të turistëve nuk përfitojnë vetëm hotelierët dhe restorantet. Blerja e një shtëpie të dytë bëhet e domosdoshme falë turizmit”, lexon artikulli i ‘Handelsblatt’.
Fakti se Athina mundi të rikthehet në tregjet e kapitalit për herë të parë në tre vjet shihet si një shenjë rimëkëmbjeje. Agjentët e pasurive të paluajtshme tregojnë se kërkesat për shtëpi pushimi janë rritur me 60% gjatë gjatë muajve të parë të 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këto të dhëna konfirmohen edhe nga Banka e Greqisë, sipas të cilës kapitali i huaj në tregun e shtëpive u rrit me 55% në tremujorin e parë të 2017-ës.
Rritja e kërkesës vjen edhe si pasojë e çmimeve më të lira për metër katror në krahasim me vendet e tjera turistike. Në Greqi ky çmim është 2700 euro, ndërsa në Itali 5800 euro, në Spanjë 4400 euro dhe në Turqi 3000 euro.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.