Strategjia për Ballkanin Perëndimor, Mogherini: S’ka integrim pa zgjidhur problemet – Hahn: Ja 6 iniciativat kryesore që do të ndërmarrim
Komisioni Europian prezantoi ditën e martë strategjinë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ku theksoi edhe njëherë se nuk do të pranohet anëtarësimi i asnjë shteti që nuk ka përmbushur detyrat e tij, duke iu drejtuar në veçanti marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.
Komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn dhe diplomatja e lartë e KE, Federica Mogherini, u shprehën se është në interes të Bashkimit Europian të importojë stabilitet, siguri dhe vlera të shtuara, e jo të kundërtën.
Hahn prezantoi edhe gjashtë iniciativat thelbësore, të cilat do të forcojnë bashkëpunimin në një sërë fushash dhe do të ndihmojnë në procesin e transformimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Kemi vendosur të mbështesim partnerit tanë duke krijuar 6 iniciativa kryesore: e para, sundimi i ligjit; Siguria dhe emigracioni; Zhvillimi social-ekonomik; Ndërlidhja në transport dhe energji; Axhenda digjitale; Pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Për këto kemi 57 veprime konkrete që duhet të ndodhin me 2018 dhe 2020”, tha Hahn.
Sa i takon paketës financiare për mbështetjen e këtyre masave, komisioneri Hahn u shpreh se nuk bëhet fjalë vetëm për investimin e më shumë parave, por do të ketë edhe një rialokim të fondeve ekzistuese, që janë rreth 500 milionë euro.
Një nga ndryshimet që do të prekë përdorimi i fondeve është përfshirja më e madhe e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe jo të investohet vetëm në infrastrukturë, pasi do të ndihmojë në forcimin e sektorit ekonomik.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.