Virus i vogël, pikëpyetje të mëdha – SCAN MAGAZINE
Shkencëtarët e kanë njohur, e kanë matur dhe e kanë studiuar imtësisht. Koronavirusi i ri sipas tyre nuk është më shumë se 90 nanometër, pra disa herë më i vogël se qeliza që infekton në mushkëritë e njeriut. Por ja që përmasa nuk e pengon që të pushtojë qelizën, ta kthejë në riprodhuese të vetes për të vijuar kapjen e qelizës së radhës e kështu për të vijuar një përhapje miliona herë më të madhe: deri në një pandemi globale.
Ka mjaftuar aq (për të nisur një ortek që është në rrotullim e sipër) për ta vënë të gjithë planetin përballë pikëpyetjeve të mëdha, duke e shtyrë në një rrugë të panjohur më parë si jetën njerëzore ashtu edhe ekonominë.
Po kjo është në radhë të parë një betejë për jetën. Për jetën e gjithësecilit prej nesh që është larg së qeni statistikë. Për çdo jetë individuale njerëzore e cila nuk ka një çmim, nuk këmbehet me para.
Gjithë këto ditë jemi përballë pikëpyetjeve të mëdha sa i takon jetës në radhë të parë:
Si e ndikon ky virus jetën e secilit prej nesh? Përse më të moshuarit janë edhe më shumë viktima, që nuk do të thotë aspak se edhe të tjerët nuk janë të rrezikuar? Si ka mundësi që përhapet kaq shpejt dhe a do të bjerë infeksioni me ngrohjen e kohës? Si ka mundësi që shumica e atyre që preken janë asimptomatikë, pra e thënë thjeshtë nuk shfaqin asnjë shenjë të sëmundjes edhe pse e kanë atë? A krijon imunitet trupi njerëzor pasi preket apo është i rrezikuar edhe për së dyti, së treti…? Lista e pyetjeve të bëra nga secili prej nesh është edhe shumë më e gjatë. Ajo mund të mbyllet me pyetjen më njerëzore në aspektin individual: A mos e pata edhe unë e nuk e kuptova?
Ky është plani thjeshtë personal. Më tej ka edhe një plan më të gjerë shoqëror. Ka nisur me pyetjen e mos ishte kjo pandemi një “mjelmë e zezë”. Edhe këtu mendimtarët kanë qenë të ndarë në pro e kundër, ndonëse argumetet që sjellin palët në të dy rastet qëndrojnë. Ata që e quajnë “mjellmë të zezë” argumentojnë me faktin se këtë askush nuk e parashikoi më parë dhe se afekti që ajo po sjell nuk ishte paralajmëruar. Vërtet kështu? Këtu vijnë në përballje kundërshtarët! Ska dyshim që pandemia nuk na dërgoi ndonjë sms apo email, por ama ajo aty ka qenë. Ne e dinim këtë. Murtaja e Zezë, gripi spanjoll, SARS, MERS e shumë të tjerë a nuk janë mesazhe të qartë? A bëmë ne atë që duhet? A investuam sa duhet për shëndetin publik? A kemi menduar që spitalet dhe mjekët duhet të jenë të përgatitur edhe për ndonjë ditë të keqe? Jo, për fat të keq jo! Dhe tani i gjithë globi rri mbyllur në shtëpi dhe sistemet shëndetësore nga veriu i Italisë në Spanjë e më tej në Nju Jork janë plotësisht të kolapsuara.
Pandemia ka edhe anën tjetër më të errët. Karantinat, ata që mund të jenë të mira për jetën, po rezultojnë vdekjeprurëse për ekonominë. Punët kanë shkuar deri atje sat ë mos mungojë edhe shtrimi i problemit si një zgjidhje për dilemën: kush janë më të vyera jetët njerëzore apo ekonomia globale? Sepse vjen një ditë dhe ata bëhen e njëjta gjë! Emërues i përbashkët në mendimin e sotëm ekonomik botëror është konstatimi se tashmë ekonomia dhe financat globale po ecin në një shteg ku nuk kanë shkelur kurrë më parë, në një terren krejtësisht të panjohur! Në raport të drejtë me këtë ka qenë edhe reagimi i qeverive dhe organizmave ndërkombëtarë. Paketa shpëtimi deri në 5 trilion dollarë kurrë nuk ishin çuar ndër mend më parë. A do të ketë efektet e pritshme apo…?
Përpara një situate të tillë skenarë deri tek më të frikshmit qarkullojnë kudo nëpër botë. Kjo është e natyrshme në një kohë paniku. Por në fund të fundit ajo që mbetet është pyetja: A do ja dalim? Shpresat më të mëdha janë tek gjetja e një vaksine, pasi vetëm ashtu do të jemi të sigurtë se pandemia nuk do të ketë edhe valë të tjera, që do të thotë jetë të tjera të humbura e kriza ekonomike të përsëritura.
Po ne ku jemi në gjithë këtë kaos global? Edhe Shqipëria po e vuan pandeminë me të gjithë të këqijat, dilemat dhe pyetjet tragjike të saj.
Adi Darsi / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.