Kjo është një luftë për jetën / Angazhimi i sistemit shëndetësor për të përballuar COVID-19 – SCAN MAGAZINE
Manastirliu: “Kemi hapur spitalin Covid-2. Pacientët e Spitalit Shefqet Ndroqi janë transferuar në spitalin e Elbsanit. Qeveria shqiptare është duke luajtur të gjithë gurët për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve. Po bëjmë gati të ngremë një strukturë të re, një spital karantinë për rastet jo të rënda”.
Më 18 mars zyrtarisht u njoftua se mes të prekurve me koronavirus, nëntë të infektuar ishin mjekë dhe infermierë. Por kjo nuk dekurajoi asnjë prej tyre për të përballur sëmundjen. Ata regjistruan edhe një akt tjetër të madh humanizmi: 30 mjekë nga Shqipëria shkuan në ndihmë të veriut të Italisë.
Numri i viktimave e kaloi 10 në mars. Mbi 70 të tjerë ishin të shtruar në spital, prej të cilëve 4 në gjendje të rëndë. Por ka edhe një lajm të mirë. Që nga fillimi i epidemisë në Shqipëri janë 40 pacientë tashmë të konfimiruar të shëruar, mes tyre edhe i prekuri i parë i zbuluar në vend.
Shpërthimi i epidemisë së koronavirusit të ri COVID-19 në Shqipëri përbën sfidën më të vështirë që mund të ketë kaluar ndonjëherë sistemi shëndetësore shqiptar. Edhe pse sfida e COVID-19 po përballohet me përgjegjshmëri të lartë nga autoritetet shëndetësore të vendit pasojat e një keqfinancimi të gjatë dhe ndërhyrjeve politike në menaxhimin e tij e kanë bërë të vështirë betejën.
Spitalet
Lufta me coronavirusin, sic është e kuptueshme e riktheu menjëherë në qendër të lajmeve QSUT-në “Nënë Tereza” në Tiranë. Spitali infektiv u bë drejtimi i objektivit të kamerave të tv, por edhe i vëmendjes së gjithë publikut. Nga 8 marsi kur u zbuluan 2 rastet e para në vend aty është kaluar në një regjim të rreptë sigurie dhe pune. Mjekët krahas punës së përditshme nuk kanë munguar as në public me këshillat e tyre të shumta për qytetarët. Ndërkohë në pavion numri i të prekurve u shumëfishua nga dita në ditë për të mbërritur në 76 pacientë të shtruar me COVID-19, më 29 mars. Po atë ditë ministrja e shëndetësisë njoftoi: “Kemi hapur dje spitalin Covid-2. Pacientët e Spitalit Shefqet Ndroqi janë transferuar në spitalin e Elbsanit. Qeveria shqiptare është duke luajtur të gjithë gurët për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve”, tha ajo. Më 25 mars Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se kurba e të prekurve nga infeksioni po vijon të rritet, por sistemi ynë shëndetësor po e përballon deri tani këtë situate, duke shtuar se: “Po bëjmë gati të ngremë një strukturë të re, një spital karantinë për rastet jo të rënda”. Pak ditë më parë u njoftua se nëse do të kemi një emergjencë edhe më të lartë me të prekurit me koronavirus, ndërtesa e një ish univesiteti privat do të rehabilitohet për të ofruar shërbim për pacientët e prekur me COVID-19. Sigurisht kjo nëse tejkalohen skenaret e parashikuar.
Mjekët
Në ballë të furtunës janë mjekët dhe personeli shëndetësor në spitale. Në shumë raste ata janë infektuar, por për fat nuk ka ndodhur si në rastin e Italisë ku me dhejtëra prej tyre kanë ndërruar jetë. E megjithatë ata janë aty në ballë të betejës. Në disa rste pacientët nuk janë treguar të sinqertë me to dhe është dashur që personelet mjekësore të karantinohen sic ndodhi në Lushnjë, Berat e Lezhë. Rasti më i rëndë u shënua në Tiranë. Më 18 mars zyrtarisht u njoftua se mes të prekurve me koronavirus, nëntë të infektuar ishin mjekë dhe infermierë. Prej tyre tetë rezultuan të prekur nga Sanatoriumi “Shefqet Ndoqi”, dhe një mjek nga spitali rajonal i Durrësit. Të gjithë ishin infektuar gjatë kontaktit që kishin patur me pacientët e prekur. Por kjo nuk dekurajoi asnjë prej tyre për të përballur sëmundjen. Ata në fund të muajit regjistruan edhe një akt tjetër të madh humanizmi: 30 mjekë nga Shqipëria shkuan në ndihmë të veriut të Italisë, e cila po e pëson më shumë se çdo vend tjetër.
Beteja me jetën
Mëngjesin e 8 marsit 2020, Shqipëria u gdhi me lajmin që dyshohej prej kohe. Në vend kishte tashmë dy të prekur me koronavirus. Një baba dhe i biri, të cilët ishin kthyer me rrugë tokësore nga Italia, nisën nga Tirana serinë e atyre personave që ju desh të përballen drejpërsëdrejti me virusin. Tre ditë më vonë ndërsa numri i të prekurve rritej shënohet edhe viktima e parë. Në mesditën e 11 marsit një grua 73 vjeçe nga Durrësi ndërroi jetë nga komplikime vaskulare. Plot një javë më vonë fati tragjik vjen edhe për një 66-vjeçar nga Lushnja ndërroi jetë mëngjesin e asaj të mërkure në spitalin Infektiv – ku ndodhej prej ditësh nën respirim të drejtuar. Ndërkohë në betejë me sëmundjen në spitalin e Tiranës ishin 59 vetë. Më 23 mars viktimat bëhen katër. Humbën jetën një 71-vjeçar me origjinë nga Kuçova, i cili vuante edhe nga kanceri në mushkëri dhe 43-vjeçari nga Kavaja, i cili nuk kishte sëmundje të tjera. Një ditë më vonë, pas një beteje 10 ditore me sëmundjen ndërron jetë pacient i pestë, një 49-vjeçar nga Tirana – me sëmundje shoqëruese diabet. Më 26 mars viktiomat bëhen gjashtë. Në spitalin Infektiv, një 71-vjeçare humbi betejën me sëmundjen, dhe një ditë më vonë më 27 mars lista e viktimave kap numrin tetë me një 85-vjeçare nga Tirana dhe një 66-vjeçar nga qyteti i Fierit. Në vijim më 28 mars betejën e humbin edhe dy të tjerë. Një 67-vjeçar nga Tirana dhe një grua 72-vjeçare nga Vlora e cojnë listën e viktimave në 10. Në pavion të spitalit infektikv në QSUT, numri i atyre që janë në betejë me virusin është mbi 70, prej të cilëve 4 njoftohet se janë në gjendje të rëndë apo sic e thonë mjekët të intubuar. Por ka edhe një lajm të mirë. Që nga fillimi i epidemisë në Shqipëri janë 40 pacientë tashmë të konfimiruar të shëruar, mes tyre edhe i prekuri i parë i zbuluar në vend.
Statistikat dhe paniku
Humbja e një jete është vërtetë tragjike, por shifrat e INSTAT-it kanë gjuhën e tyre të ftohtë. Alarmi global për covid-19 po shumëfishohet me publikimin e përditshëm të numrit të viktimave. Është një tregues i domosdoshëm dhe sensibilizues, që e bën edhe më të dukshëm rrezikun për publikun I cili është thirrur në masa të rrepta ndalimi. Por të lexuara në mungesë të asaj që është normale, shifrat duken të frikshme dhe krijojnë përshtypjen se po ndodh dicka vërtet e pangjarë më parë. Po a është vërtetë kështu? Sigurisht që jo! Në kushte normale në Itali ndërrojnë jetë mbi 2000 persona në 24 orë, ndërsa në Gjermani shifra shkon në mbi 2300 njerëz në 24 orë. Po në rastin e Shqipërisë çfarë mund të themi? Në një prej publikimeve të INSTAT për vitet 2018 dhe 2019, jepet e detajuar shifra e vdekjeve në të gjithë vendin në këto dy vite e detajuar edhe sipas qarqeve. Vëmë re (shiko tabelën poshtë) se nga 2018 në 2019 numri i vdekjeve në një vit është rritur me 133 persona më shumë. Në 2019 sipas të dhënave zyrtare në vend janë regjistruar 21.937 vdekje, ku siç është edhge normale numri më i lartë është në qarkun e Tiranës ku edhe dendësia e popullsisë është më e larta në vend. Kolona e tretë e tabelës është shtuar bazuar në një pjesëtim të thjeshtë. Numri i vdekjeve vjetore në rang vendi por edhe sipas qarqeve të vendit është pjesëtuar me 365 që janë ditët e vitit. Rezulton që në vendin tonë gjatë vitit 2019 kanë ndërruar jetë mesatarisht 60 veta në ditë (të kuptohemi në këtë shifër përfshihen të gjithë llojet e vdekjeve). Vetëm në qarkun Tiranë rezulton të kenë ndërruar jetë mesatarisht 15 veta në 24 orë. Shifrat e tjera mund ti shikoni në tabelë. Ka edhe një sqarim tjetër në metodologjinë e matjes që ka bërë INSTAT ku thuhet se “Të dhënat e vdekjeve sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, sipas karakteristikave bazë demografike. Konsiderohen të gjitha vdekjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh vdekjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile pranë ish-vendbanimeve të tyre”. Kjo pamje e shifrave nuk e justifikon panikun!
Adi Darsi / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.