Aeroporti indian thyen rekordin botëror të fluturimeve në 24 orë

Të ardhurat në rritje dhe fluturimet e lira të ofruara nga linjat me kosto të ulët po nxisin tregun e transportit ajror në Indi, një treg aviacioni, i cili pritet të bëhet i treti pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Për të treguar se qarkullimi po rritet, Mumbai operoi të premten 969 fluturime në një periudhë 24-orëshe, një rekord botëror për një aeroport që ka mund të përdorë vetëm një pistë njëkohësisht. Kështu raporton e përditshmja ‘Times of India’, e cila citon zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Mumbait.
Ky aeroport, i cili ka vetëm dy pista, duhet t’i operojë ato me radhë, pasi kryqëzohen me njëra tjetrën, ndërsa trualli për të ndërtuar një pistë tjetër mungon. Si rezultat, klasifikohet një si aeroport me një pistë të vetme.
Rritja e fluturimeve ditën e premte u ndihmua edhe nga avionët privatë dhe ata charter. Synimi sipas zyrtarëve, është të arrijnë 1 mijë lëvizje aeroplanësh brenda ditës.
Vitin e shkuar, kompanitë ajrore në Indi fluturuan rreth 100 milionë pasagjerë të brendshëm, ndërsa Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror llogarit se tregut do t’i shtohet edhe rreth 337 milionë pasagjerë më shumë gjatë dy dekadave të ardhshme.
Sipas linjës low-cost SpiceJet, rreth 97% e popullsisë 1.3 miliardëshe të Indisë nuk kanë hipur kurrë në një aeroplan, duke treguar edhe potencialin për rritjen e qarkullimit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.