Daimler përballë hetimeve – Mund të rezultojnë në gjoba, raporton dyfishim të fitimit për T1

Daimler, kompania prodhuese e Mercedes-Benz, deklaroi se hapat e fundit nga autoritetet në SHBA për të hetuar emetimin e gazrave ndotës, mund të sjellin gjoba të mëdha dhe tërheqjen mbrapsht të automjeteve.
Departamenti i Drejtësisë në SHBA, Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit dhe hetuesit në Shtutgart, po kontrollojnë nivelin e ndotjes së makinave diesel të Mercedes Benz.
“Në një kohë të kërkesave për informacion nga Qeveria, hetimeve të jashtme dhe të brendshme, nuk mund të përjashtohet mundësia e një penaliteti”, deklaron Kompania në raportin tremujor.
Daimler ka bërë të ditur më herët gjatë vitit se autoritetet amerikane kanë marrë një qëndrim të ashpër mbi një pajisje që çaktivizon kontrollin e ndotjes (defeat device).
Në Janar, Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit sulmoi gjithashtu Fiat Chrysler për të njëjtën gjë.
“Nëse këto hetime, procedura apo veprime ligjore rezultojnë në zbulime jo të favorshme, kompania do të jetë subjekt i penaliteteve të konsiderueshme financiare dhe tërheqjes së automjeteve”, shkruan Daimler.
Kompania ka publikuar gjithashtu performancën e tremujorit. Fitimi neto në tre muajt e parë të këtij viti u dyfishua në 2.7 miliardë euro, nga 1.35 miliardë që ishte një vit më parë, nxitur nga shitjet e mëdha të kategorive SUV dhe modelit E-class.
Daimler deklaroi se kërkesa e fortë për modelet GLC, GLA dhe E-class, pritet të rrisin shitjet në nivel rekord për të gjithë 2017-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.