Dollari zgjeron fitimet – Mbështetet nga mundësitë që FED të rrisë sërish interesat

Dollari amerikan ka vijuar tendencën në rritje edhe në sesionin e sotëm, për shkak të rritjes së mundësive se Rezerva Federale do të rrisë sërish normën bazë të interesit, ndërsa fitimet më të mëdha i relizon përballë jenit japonez, që tregtohet në rreth 120 në raport me monedhën e gjelbër. Jeni humbi rreth 0.8% të vlerës në fillim të tregtisë europiane, ndërsa vetëm gjatë këtij muaji ka humbur rreth 4% të vlerës.
Rritja e yield-it të obligacioneve amerikane krahasuar me ato japoneze dhe përkeqësimi i bilancit tregtar në ekonominë e tretë më të madhe në botë po ushtron presion mbi jenin. Ndërkohë, edhe euro ka rënë lehtë poshtë 1.1 përballë dollarit amerikan dhe ecuria e monedhës europiane po përcaktohet nga ecuria e bisedimeve Rusi-Ukrainë. Në tregun e kriptovalutave, bitcoi po qëndron në rritje me rreth 3% dhe tregtohet në rreth 42 mijë dollarë, niveli më i lartë në 3 javët e fundit.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.