“E diela e Maduros” – Presidenti: Rritje e pagës minimale me 60%, shtyhen zgjedhjet
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro deklaroi se do të rritet paga minimale me 60%, dhe ky ndryshim do të hyjë në fuqi më 1 Maj, ditën ndërkombëtare të punës. Maduro e bëri këtë deklaratë gjatë daljes së tij të përjavshme, në formën e një programi televiziv, të quajtur e “Diela e Maduros”.
Ndër të tjera, Maduro njoftoi edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të cilat duheshin mbajtur vitin e kaluar. Deklaratat pritet t’i hedhin benzinë zjarrit, në një kohë që opozita kërkon jo vetëm mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve lokale, por edhe afrimin në kohë të zgjedhjeve të përgjithshme, të parashikuara për vitin e ardhshëm.
Venezuela prej më shumë se një viti gjendet në një krizë të rëndë ekonomike, ndërkohë që gjatë javëve të fundit, përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë shkaktuar rreth 30 të vdekur.
Vendi prej kohësh vuan mungesë të theksuar ushqimesh dhe produktesh bazë dhe inflacion galopant, tre shifror. Maduro premtoi gjithashtu një rritje të tollonave ushqimore për punëtorët, që përkthehet në rreth 50 dollarë më shumë në muaj, me vlerën aktuale të monedhës vendase në tregun e zi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.